Gjithçka e “paguajmë” me sekondat e vjedhur të jetës!

(para 3 viteve tashmë, paskam komentuar rreth “hileve” të youtube, më kujtohet 1 vit më vonë, në një artikull pata shkruar se Youtube thuase është bërë diç si “video-gramofon” i gjysheve universaliste – dmth. duke aluduar tashmë se gjoja pllakosur nga “dekadenca” : )

***
…padyshim ka panumër muzika të mira për të cilat s’dimë, ende s’e kemi idenë – anise tashmë të gjitha muzikat e botës Youtube i ka grumbulluar në një vend të vetëm, dekadat e fundit të zhvillimit internetik ndër të tjera ishin dhe diç si “revolucion” multimedial, njerëzimi tashmë e ka deponuar virtualisht gjithë memorien e vet artistike-kulturore, te gjitha stilet e zhanret ekzistente të muzikave janë deponuar në Youtube…

…gjithë folk-pop kulturat dhe nën-kulturat e kontinenteve, gjithë laryshia e trashegimisë etno-muzikale e 1 miliard kinezve e madje dhe e apaçëve, gjithë “muzat” dhe frymëzimet e klasikes së shekujve mund t’i gjejmë në Youtube, me Mozarta e me lloj-lloj serenadash, por dhe Madonnat e Jacksonat e 70-ave, 80-ave, sikur dhe miliarda muzikat e kohëve të reja – s’duhet madje as të paguajmë gjë, gjithçka “paguhet” me kohën tonë, me kureshtjen tonë, me klikimet tona, gjithçka e “paguajmë” duke na i vjedhur sekondat e minutat e jetës me reklamat e imponuara…

…shkencat e “joshjes” së masave internetike janë “kategori” mëvete, bie fjala sa i përket artit të “vjedhjes së vëmendjes” ndoshta Google (si pronar i Youtube) dhe Facebook kanë “kontribuar” më së shumti, në këtë drejtim atyre u duhet hequr kapelën, sistemet internetike e kanë ujdisur gjuhën e vet të “biznesit”, janë marrë vesh mes vete për gjithçka, të gjitha ligjet e ekonomisë virtuale dhe të profitabilitetit mbase tashmë janë rutinash AI-algoritmike…

…shkurt, mrekullia vetë – mirëpo njeriu do duhej t’i kishte 3-4 jetë ngjitas për t’i dëgjuar të gjitha (muzikat e mira, që ia vlen), përndryshe thjesht e pamundur – s’dija për këtë muziken, dikush e kishte postuar linkun… tani e di dmth : )
(sguraziu, ap shkurt 2020)

HAVASI – The Road